Adhurimi duhet të bëhet me dashuri. Mendimi, zemra dhe shpirti duhet të jenë një tërësi. Mes këtyre të trejave duhet të ketë gjithmonë një qarkullim, një dhënie-marrje të vazhdueshme. Secila prej tyre është si një planet që noton në orbitën e vet; as nuk e arrin tjetrën, as nuk ndahet prej saj. Universi është pasqyra e trupit. Të dy zgjerohen pa pushim…
Në jetën e kësaj bote ka mendime të panumërta. Njeriu zgjedh një mendim dhe e bën atë udhë të vetën. Ai që mer jetë dhe ai që ringjall është Ai. Në çdo çast lindin dhe vdesin mendime të shumta. Shumë qenie shuhen, shumë të tjera lindin. Shfaqja e natyrës është me Të. Ajo që lind është ajo që del në shesh. Ajo që del në shesh është bota jote e brendshme, ajo që është brenda teje. Në botën tënde të brendshme gjendet gjithçka. Tani shiko dhe dallo atë që lind nga nefsi yt dhe atë që lind nga shpirti yt! Zoti yt të jep fuqinë e dallimit. Braktisi me guxim ato që janë nga nefsi yt. Të braktisësh është zgjedhja jote. Zgjedhja është këtu. Kjo është ajo që do të përcaktojë përfundimin tënd…
Portat e Arshit hapen dhe mbyllen. T’i mbash të hapura apo t’i mbyllësh është në dorën tënde; kapu fort pas besëlidhjes me përkushtim. Kur portat mbyllen, mbetesh i ngushtuar në botët e ulëta. Dije se ky përfundim lidhet me dëshirën tënde. Jo vetëm mendimi, por edhe veprat që i paraqet botës duhet të kalojnë nëpër sitën e kënaqësisë hyjnore. Vetëm atëherë portat e Arshit hapen për ty. Për sa kohë mbetesh i bllokuar në shtresat e ulëta, do të merresh gjithmonë me ato punë. Për mendimet dhe veprimet që nuk kalojnë në sitën e kënaqësisë, duhet të ndjesh pendesë, të bësh tevbe dhe istigfar. Papastërtitë e krijuara nga kjo duhet t’i lash me lotët e syve…
Gjithçka i shfaqet njeriut hapur e qartë. Por për të parë, duhet sy që sheh. Syri që sheh është basiret, jo forma, por vetëdija.
Atij që i dorëzohet ekzistencës së Tij, i hapet vetëdija. Dije se një jetë sipërfaqësore nuk është e denjë për ty; njeriu duhet të nxjerrë gjallëri nga një jetë e mbushur me vetëdije…
Mendo: pse të është dhënë arsyeja dhe mendimi?..
Shërimi yt është në dashurinë hyjnore dhe është vulosur në duart e miqve. Ajo të zgjatet që të mos e përdorësh gabimisht arsyen. Mendo për zinxhirin e miqve – çfarë mjeti madhështor është ai që të lidhesh fort pas tij…
Mos lejo që mendja të prodhojë iluzione; mbaji mendimet e tua të pastra që të mos biesh në ngushtim. Pastërtinë e vërtetë mund ta mësosh vetëm nga zinxhiri shpirtëror. Hyr në zjarrin e dashurisë hyjnore që papastërtitë e tua të pastrohen…
Çdo gjë që shohim me sy apo dëgjojmë me vesh është një nxitje për mendimin. Në çastin që shohim apo dëgjojmë, mendimi vihet në lëvizje dhe fillon ta peshojë atë sipas një mase; pa u përpjekur të njohë thellësinë e saj, mjaftohet me atë që sheh dhe nis ta gjykojë. Nxjerr në pah të gjitha gabimet dhe mangësitë. Ky vlerësim është krejtësisht sipas vetes sonë. Ndërsa vetja jonë është e thurur tërësisht nga nefsi. Prandaj vlerësimi është krejtësisht nefsor…
Çdo formë, çdo tingull e vë ekzistencën tonë përballë nefsit, sikur thotë: “Vlerëso pak, lëre mendimin tënd të vihet në lëvizje; a do të veprosh sipas nefsit apo ke mësuar të shohësh me drejtësi?”
Për të arritur Ademijetin, mendimi duhet të lartësohet. Nëse mbetemi gjithmonë në vlerësime nefsore – që janë niveli më i ulët i mendimit – nuk është e mundur të ngrihemi në përsosmëri…
T’i shohësh ngjarjet vetëm si ndodhi dhe përfundime është një qasje e mangët. E rëndësishme është ajo që mësohet nga përjetimi dhe ngritja në përsosmëri. Jeta ekziston për këtë. Askush nuk duhet të kalojë nëpër këtë jetë thjesht duke kaluar. Kjo është një humbje e madhe…
Veçanërisht ata që janë lidhur me një murshid duhet të hyjnë në jetën tasavvufike. Të jetosh me përsosmëri është një shije tjetër, dhe fakti që njeriu është krijuar si halife fillon të marrë kuptim pikërisht prej këtu… HŞY

