Thonë se: “A ka kufij zemra?”…
Zemra nuk ka kufij. Kufijtë e zemrës je ti; zemra nuk është thjesht një organ i yti, ajo është një dhuratë që ka qenë me Të që në amshim (Ezel) dhe të është dhënë ty me lindjen tënde.
Tani, mendja jote, e cila në vend që të hyjë brenda saj, e kërkon atë gjetiu, të flet përmes kufijve të tu. Frenoje mendjen dhe ngadalësoje mendimin e saj. Urdhri i Tij për adhurim mbaron aty ku mbaron mendja. Pas asaj pike fundore (munteha) ku hyn në lojë zemra, qenia jote – e cila i përgjigjet emrit të Tij – zbulon pafundësinë dhe brenda çastit, po deshe, mund të jesh kudo…
Këto nuk mund t’i mësosh me mendjen që kërkon të dijë, por mund t’i zbulosh me zemrën që nuk mendon fare për to. Dhënia jote pas lëndës (materies) po të shkatërron dhe po e mban mendjen tënde përherë mbi zemrën.
O ti i fjetur!
Në çastin kur nuk i sheh më brengat si brenga, ato zgjidhen. Sepse atëherë nuk e sheh veten si atë brengë dhe nuk e prangos mendjen pas saj. Sa më shumë që mendja lidhet pas brengave, aq më shumë rritet pesha e tyre. Nëse e çliron mendjen dhe beson në qenien e Atij që e dha brengën, atëherë brenga të bëhet udhërrëfyes. Një zemër e hapur dhe një mendim i zhveshur nga teprimet, nisin rrugëtimin drejt ilaçit të brengës sate. Mos merr frymë me shqetësim, por duke mos harruar ekzistencën e Pronarit të vështirësive që ndodhen në këtë çast.
Ja, dijeni se vetëm atëherë do t’i shihni frutat e pemës së xhenetit… HŞY

