Fakti që Tarikati Halvetije ka pasur një ndikim kaq të fuqishëm lidhet me rrënjët e tij të thella historike dhe me ndikimin e madh të themeluesve dhe pirëve të tij.
Tarikati Halvetije e merr emrin nga themeluesi i tij, Ebû Abdullah Sirâcüddîn Ömer el-Lahcî el-Halvetî (v. 800/1397). Ky personalitet lindi dhe u rrit në Lahixhan, në rajonin e Gilanit, në jugperëndim të Detit Kaspik. Pasi përfundoi studimet aty, ai shkoi në Harezëm pranë xhaxhait të tij, Shejh Ahî Muhammed b. Nûr el-Halvetî (v. 717/1317), dhe iu përkushtua atij.
Xhaxhai i tij Ahî Muhammed, njihet si personalitet qe kishte dashuri te madhe ndaj zikrit në vetmi (halvet) ku pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në halvet, dhe u njoh në mes njerëzve si “Halvetî”. Ai është personi i parë në këtë zinxhir që mori këtë nofkë. Pas vdekjes së tij, Ömer el-Halvetî u bë halifja më e përkryer dhe e zëvendësoi atë.
I pjekur dhe i aftë, Ömer el-Halvetî arriti gradë të larta shpirtërore falë përkushtimit të tij të madh në adhurim ndaj Allahut të Lartësuar dhe u bë themeluesi dhe piri i parë i Tarikatit Halvetije. Pas një kohe në postin e udhëzimit shpirtëror, ai shkoi në qytetin Hoy, pranë Tebrizit, që ishte nën sundimin e Karakoyunlëve, dhe vazhdoi aty aktivitetin e tij të irshadit për një kohë të gjatë. Më pas udhëtoi në Egjipt, prej andej në Hixhaz ku kreu haxhin, dhe me ftesë të Sulltan Uveys shkoi edhe në Herat (rreth 750/1349). Ai ndërroi jetë në vitin 800/1397, megjithëse vendi i saktë i vdekjes nuk dihet me siguri.
Sipas një rrëfimi, kur Ömer el-Halvetî përfundoi rrugën e tij shpirtërore dhe iu dha leja për të qenë halife, ai nuk pranoi menjëherë detyrën e udhëzimit dhe u tërhoq në male. Aty u vendos në zgavrën e një peme dhe kreu njëri pas tjetrit erbaine (periudha 40-ditore të tërheqjes). Thuhet se ai kreu dyzet erbaine radhazi (1600 ditë), dhe për këtë arsye iu dha emri “Halvetî”. Ai nuk konsumonte ushqime shtazore dhe ishte vazhdimisht në gjendje tevhidi dhe zikri. Kur fillonte zikrin e tevhidit, zogjtë dhe kafshët e maleve mblidheshin rreth tij dhe dëgjonin zikrin deri në fund.
Nga fjalët e tij të çmuara:
“Dervishi ka katër lloje vdekjeje. Nëse sâliku nuk e sheh vdekjen dhe nuk merr mësim prej saj, dervishllëku i është i ndaluar. Dervishi i pranueshëm është ai që nuk flet për gjëra të kota dhe ka një vetëdije të lartë. Sepse heshtja është mbi çdo gjendje. Pastaj vjen tërheqja nga njerëzit. Ajo që është Hak (E Vërteta) nuk mund të përfshihet në fjalë; përveç saj, nuk vlen të flitet për asgjë tjetër.”
Gjatë qëndrimit të tij në Egjipt, Ömer el-Halvetî kreu shtatë herë haxhin. Gjithashtu transmetohet se ai është varrosur pranë tyrbes së “Mîr Ali” afër Tebrizit. Pas tij, në post u ul Ahî Emre el-Halvetî (v. 812/1409).
Pas kalimit të Ömer el-Halvetî në amshim, zinxhiri i tarikatit vazhdoi si vijon:
AHÎ EMRE HALVETÎ (v. 812/1409),
HACI İZZEDDİN (v. 828/1425),
SADREDDİN HİYAVÎ (v. 860/1455),
dhe më pas arriti te SEYYİD YAHYA SHIRVANÎ, i cili konsiderohet si piri i dytë dhe në njëfarë mënyre themeluesi i vërtetë i tarikatit. Përsosmëria e Tarikatit Halvetije u përqendrua te ky personalitet dhe përmes tij kjo rrugë u përhap në shumë pjesë të botës islame. Ai konsiderohet si piri më i madh i këtij tarikati.
Yahya Shirvanî lindi në Shamahî, qendra e Shirvanit. Për shkak se ishte pasardhës i Imam Musa Kazimit (r.a.), ai u quajt “Seyyid”. Ai filloi studimet që në moshë të vogël dhe më pas u vendos në Tebriz, ku përfundoi arsimin dhe për një kohë shërbeu edhe si muderris. Me dijen, përkushtimin fetar dhe devotshmërinë e tij fitoi dashurinë dhe respektin e të gjithëve. Thuhej se në ballin e tij ndriçonte drita e seyyidllëkut dhe velijllëkut, dhe kushdo që e shihte nuk mund të përmbahej pa e lavdëruar.
Ai mori inspirim (fejz) dhe hyrje në tarikatin përmes Sadreddin Hiyavî-t, prej të cilit mori edhe hilafet dhe u bë dhëndri i tij. Pas kësaj u kthye në vendlindjen e tij Shamahî dhe më pas, me ftesë nga Pallati i Shirvanshahëve, u zhvendos në Baku, ku vazhdoi aktivitetin e irshadit deri në vdekje (v. 862/1472). Varri i tij ndodhet brenda kompleksit të Pallatit Shirvanshah në Baku.
Ai rriti rreth dyzet, madje edhe më shumë themelues degësh të tarikateve. Ndikimi dhe përhapja e sotme e Tarikatit Halvetije janë falë halifëve që ai dërgoi nëpër rajone të ndryshme. Duke qenë një dijetar i madh edhe në shkencat e jashtme (zahir) dhe ato fetare (sher’î), ai la pas shumë vepra. “Vird-i Settâr”, që lexohet gjatë zikrit në degët e Halvetijes, është një vepër e tij e përgatitur mbi një gjendje shpirtërore dhe dijetare. Ky vird lexohet në të gjitha dergâhet Halvetije — nëse nuk është harruar!
Emrat e veprave të tjera të tij janë të regjistruara në “Shkrimtarët të Perandorisë Osmane”.

